Klubet e Superiores dhe së Parës marrin nga një dhuratë për festat e fundvitit. 400 mijë lekë gjobë duhet të paguajnë Partizani, Tirana, Kukësi, Erzeni dhe Besa për ngjarjet e ndeshjeve të fundit të vitit 2023. Dhuratë nga Disiplina dhe Etika që vijon të ndëshkkojë klubet me gjoba duke rënduar bilancin e tyre edhe pse situata nuk është aspak pozitive e madje shumë prej tyre nuk arrijnë të mbyllin në kohë edhe pagat e punonjësve dhe lojtarëve.
Një praktikë që përsëritet e përsëritet javë pas jave por asgjë nuk ndryshon nga kjo tablo. Askush nuk kujtohet të analizojë apo diskutojë se përse ndodhin fenomene të tilla dhune dhe tensioni ku ata që vihen në shënjestër janë zyrtarë, arbitra e lojtarë e ky është skenar i njëjtë por javë pas jave ata që ndryshojnë janë emrat. Tension dhe pakënaqësi e frustrim për një pikë më shumë apo më pak e ndoshta për një vendime të gabuara apo një gjest të pamatur por në fund asnjëherë shpirti sportiv në vend nuk fiton.
Kjo ndoshta ndodh sepse në stadium, në shkallë apo në klube kemi afruar njerëz të uritur për dhunë dhe aspak për sport. Cili është misioni i tyre? Askush nuk e di, por ajo që dihet sot me siguri është se klubet po vuajnë pasojat dhe këto janë të dukshme ku brenda një sezoni gjobat e Disiplinës janë aq të shpeshta aq sa sot mund të konsiderohen një normalitet për futbollin shqiptar.
Nga Pirro Bardhyli