Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorë, Shpëtim Gjika, i është përgjigjur presidentit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, lidhur me akuzat për borxhet me futbollistët që i ka lënë klubit. Në një postim në faqen e tij në FB, Gjika deklaron se ka fakte që vërtetojnë se borxhet e lojtarëve që po ndëshkojnë Flamurtarin, janë të periudhës kur administrimin e klubit e mori Idrizi.
Ai ka botuar dy dokumente, nga të cilët një është vendimi i Këshillit Bashkiak të Vlorës për t’ia dhënë Flamurtarin në administrim dy kompanive turke, ndërsa tjetri është kontrata e njërit prej futbollistëve, Polizoi Arbri.
Gjika thekson se, siç duket edhe nga dokumentet, Idrizi e ka marrë klubin në administrim në 31 korrik 2014, ndërsa kontrata me Arbrin u nënshkrua në 15 gusht të po atij viti, pra në periudhën kur numri 1 i Flamurtarit ishte pikërisht Idrizi. Kryebashkiaku shton se të ngjashme janë edhe kontratat me lojtarët e tjerë, Sakaj e Veliu.
Administratori e ka akuzuar Gjikën se vlonjatët po ndëshkohen nga borxhet e periudhës kur klubi ishte i Bashkisë së Vlorës.