Egbo fiton sfidën me italianët dhe kroatët, Tirana pranë konfirmimit të trajnerit!

Të paktën mërzia e kohëve të fundit, I ka kaluar. Presidenti I Tiranës, Refik Halili, ndihet më I qetë tani që skuadra e tij ka arritur tri fitore radhazi në Superligë, dhe kjo po ndikon në zgjedhjen që ai do të bëjë për stolin. Përtej emrave të shumtë nga jashtë, duket se numri 1 bardheblu po binden se Emanuel Egbo mund të ishte njeriu I duhur për të vazhduar, të paktën deri në fund të sezonit.

Edhe pse trajner portierësh, sërish nigeriani ka treguar se ka personalitetin dhe karakterin e përshtatshëm për të punuar me një grup shumë të vështirë lojtarësh, që ka Tirana, pak a shumë si në çdo klub të madh në Shqipëri e jashtë saj. Tirana ende nuk ka një konkluzion zyrtar, por Halili është shprehur se ka në plan që të bisedojë me Egbonë për të ardhmen. Me gjasë, një bisedë është bërë dhe ish-portieri ka marrë një siguri se mund të vazhdojë.

Ai e mori detyrën pas largimit të trajnerit Julian Ahmataj, pikërisht në prag të derbit ndaj Partizanit në “Arenën Air Albania”. Pasi dueli brenda kryeqytetit u fitua me shifrat 2-1, tiranasit vazhduan sukseset duke triumfuar ndaj Flamurtarit 2-0 dhe duke arritur triumfin e rëndësishëm në Laç, 2-1 ndaj kurbinasve.

Tek Tirana janë diskutuar disa kandidatura të tjera nga jashtë vendit, si Lonçareviç, Agostineli, por edhe kroati tjetër Zoran Vuliç, disa herë trajner I Hajdukut të Splitit. Besohet se dëshira e parë e Halilit ka qenë Ilir Daja, por tekniku tiranas ka vendosur të vazhdojë me Skënderbeun.

Sfidanti.al