Kohët e fundit, presidentët e klubeve shqiptarë po mendojnë gjithnjë e më shumë për të afruar drejtorë të huaj. Ata kanë kaluar nga dashuria për trajnerët e huaj (që vazhdon), tek ajo për drejtorët nga jashtë Shqipërisë, ndoshta të nxitur edhe nga moda e Federatës ku jo vetëm trajneri i kombëtaresm, prej 15 vitesh është i huaj, por i huaj është bërë edhe drejtori teknik, si dhe trajnerë të ekipeve kombëtare të moshave.
Gjithsesi, presidentët tanë do të bënin mirë të dëgjonin një histori të Farruk Sejdinit, në një nga detyrat e fundit si trajner që mori në karrierë. “Xhaxhi” ra dakord me presidentin e një klubi të vogël, i cili e kërkoi me këmbëngulje. Pasi u arrit marrëveshja, ai udhëtoi për në qytetin ku do të punonte, dhe nisi seancën e parë stërvitore. Kur, ç’të shikonte! Në fushën e stërvitjes ishte vetëm ai, lojtarët, ndonjë ndihmës, dhe disa topa futbolli.
Sejdini iu drejtua menjëherë presidentit. “Dëgjo mor “xhaxh”, – i tha ai, – hiqe një rrogë mujore timen dhe bli bazë materiale, didaktike, ndryshe unë do të kthehem në Tiranë dhe nuk vij më”. “Me të vërtetë duhen edhe këtu gjëra?”, – u habit presidenti. Ai, natyrisht, ia plotësoi dëshirën “xhaxhit”, por morali i fabulës është i qartë. Trajnerët apo drejtorët e huaj dështojnë në Shqipëri sepse nuk mund të punojnë në kushtet që kanë jashtë, ndërsa presidentët tanë nuk mund t’i plotësojnë ato kushte edhe sepse nuk dinë, por edhe sepse kushtojnë. Jo më kot, Pipo Inzagi ka 8 ndihmës tek Venecia, por asnjë president në Shqipëri nuk do të shpenzonte kurrë para për kaq shumë.
Sfidanti.al