Luhej në fushë kundërshtare, ndonëse në të vërtetë ndeshja ishte në “Elbasan Arena”. Përballë kishte skuadrën e dytë të kampionatit, e cila kishte luajtur futbollin më të bukur deri tani, por papritur skenari ndryshoi. Ishte Dinamo ekipi që mendoi për futbollin këtë herë, ose të paktën kështu u duk. Nuk dihet se çfarë “magjie” kishte bërë këtë herë trajneri Shkëmbi apo presidenti Bardhi, e cila u lidhi këmbët kuksianëve të trajnerit Longo, dhe ua zgjidhi bluve kryeqytetas.
Një gol i Imamit vulosi fitoren 1-0 me “nëndetësen” që kishte nevojë për tri pikët, njëlloj sikur të ishin oksigjen. Dinamo luftoi më shumë në pjesën e parë, dhe u duk më agresive me Sabien Lilajn, Rezhinaldon e Denisonin, edhe pse ata po luanin ndeshjen e parë me ekipin e tyre të ri. Pas kësaj fitoreje në ndeshjen e fundit të javës së 16-të, Dinamo ka 18 pikë në vend të 7-ë, baraz me Teutën e duke lënë pas Skënderbeun, ndërsa Kukësi mbeti në 28 pikë, katër prapa Tiranës që kryeson.
Sfidanti.al