Kategoria II, Besëlidhja po bind në merkato

Besëlidhja kërkon të ngjitë me shpejtësi shkallët në futbollin shqiptar, duke kaluar nga Kategoria e Dytë, ku merr pjesë aktualisht, drejt Superiores. Kuptohet qartë nga lëvizjet e klubit lezhjan pas riorganizimit të bërë në verë nga drejtuesit e rinj.

Skuadra e trajnerit Elvis Plori afroi në verë emra si Arsid Kruja apo Ardit Hila, me shumë eksperiencë edhe në elitën e futbollit shqiptar. Edhe tani po bën të njëjtën gjë në merkaton e dimrit, duke synuar garancinë për objektivat e saj. Mesfushori Xhuljo Mehmeti dhe portieri Marko Molla janë zyrtarizuar ditët e fundit, ndërsa goditja e radhës te Besëlidhja do të jetë mbrojtësi Antonio Marku, i cili sapo është larguar nga Kosova. Me këto lëvizje duket se lezhjanët duan të kenë gati që këtë sezon ekipin e Kategorisë së Parë sezonin e ardhshëm. Besëlidhja kryeson grupin e saj në Kategorinë e Dytë me 26 pikë, e ndjekur nga Sopoti me një pikë më pak.