Futbolli shqiptar dhe dhuna, “dasma” vazhdon edhe në stadiumin e Tërbunit!

Rikthehet dhuna në futbollin shqiptar, dhe sërish në nivelet e ulëta. Në stadiumin e Pukës janë sulmuar lojtarët dhe stafi teknik i Egnatias së Rrogozhnës, në përfundim të ndeshjes së Kategorisë së parë, që u mbyll me shifrat 1-1. Për vendasit kërkohej vetëm fitorja, sepse rrezikojnë të bien në Kategorinë e Dytë, ndaj edhe barazimi solli dëshpërim, por edhe acarim, duke u pasuar nga sulmi fizik.

Miqtë nga Rrogozhina pretendojnë se janë sulmuar nga një tifoz dhe madje një roje private e sigurisë, ndërsa fotot tregojnë edhe lojtarë të Egnatias të gjakosur. Po ashtu, Egnatia pretendon se edhe lojtarë të Tërbunit apo drejtues të klubit pukjan, u përpoqën t’i sulmonin ndërsa ata ishin në dhomat e zhveshjes. Për të mos lejuar rëndimin e situatës është dashur ndërhyrja e Policisë së Shtetit, madje janë thirrur në ndihmë Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Shkodra.

Klubi i Egnatias doli me deklaratë zyrtare pas ndeshjes, duke akuzuar për dhunën e ushtruar ndaj saj, dhe duke pretenduar se edhe gjatë ndeshjes ka pasur presion fizik dhe psikologjik. Rrogozhinasit kërkojnë nga Federata Shqiptare e Futbollit, konkretisht nga komisionet e saj, që të marrin masa për të ndëshkuar atë që ndodhi në Pukë.

Sfidanti.al