Kategoria e Parë, një “Superiore” e vogël

Me mbylljen e fazës së parë të Kategorisë së Parë, Bylisi u shpall kampion dimri por Elbasani nuk i lejon asnjë moment frymëmarrje ekipit ballshiot. Katër vite pasi u rithemelua nga Bashkia me parashtesën AF, sot Elbasani që e mbush stadiumin si askush tjetër në Shqipëri, po punon që Superiorja të mos ngelet në “tentativë”. Pas Ardit Hilës, klubi verdheblu ka kryer një tjetër goditje “big” nga Superiorja.

Bëhet fjalë për 23-vjeçarin Bledar Lila, i cili i bashkohet skuadrës që militon në Kategorinë e Parë, nga radhët e kryesuesve të Egnatias.  Dy lëvizje që e forcojnë ndjeshëm e ekipin e drejtuar nga Nevil Dede, i cili ka misionin për ta rikthyer skuadrën në elitë por edhe misionin e vështirë për të injektuar eksperiencën që nevojitet për nivelet më të larta të futbollit. Çdo fundjavë në ndeshjet e shtëpisë, Elbasani tërheq në stadium mijëra tifozë, një fenomen për t’u marrë shembull pasi klubi dhe lojtarët po respektojnë të gjitha pritshmëritë e popullit verdheblu, leksion që ndoshta duhet ta marrin edhe shumë klube madje më të lavdishme në vend.

Nga Pirro Bardhyli