Pak ditë para publikimit të listës së futbollistëve për ndeshjen e rëndësishme ndaj Serbisë në kualifikueset e Botërorit, trajneri i Kombëtares, Silvinjo, ka pse të shqetësohet. Nga një anë disa lojtarë po shkëlqejnë me paraqitjet e tyre para portës. Por nga ana tjetër, dëmtimet e zakonshme nuk po u ndahen kuqezinjve. Një nga emrat e fundit në listë me probleme fizike, është ai i një prej “zbulimeve” të trajnerit të kuqezinjve, mesfushori Julian Shehu. Mesfushori është kthyer në një kohë të shkurtër në një pikë fikse në rreshtimin e kuqezinjve dhe padyshim kontributi i tij do të ishte i domosdoshëm ndaj Serbisë. Por në ndeshjen e të dielës në kampionatin polak, ndaj Rakov, mesfushori shqiptar nuk u kthye në fushë pas pushimit të ndeshjes. Vetë klubi, në komentin në faqen e internetit të tij pas sfidës, thekson se Shehu nuk mund të vazhdonte më për shkak të problemeve fizike, duke detyruar trajnerin të bënte një zëvendësim.
sfidanti.al