Trajneri i përfaqësuese së Çekisë, Jaroslav Silhavy ka dalë në një konferencë për shtyp, bashkë me mesfushorin Tomas Soucek, për të komentuar në funksion të sfidës me kuqezinjtë në “Air Albania”.
“Jemi të motivuar për të bërë një paraqitje të mirë. Kemi ardhur këtu për të marrë një rezultat pozitiv. Në ndeshjen e parë ne kemi parë lojtarë shumë cilësorë të Shqipërisë, një skuadër që ka shumë besim në vetvete, diçka shumë e veçantë. Duhet të bëjmë kujdes me hapësirat, sepse nëse gabojmë, atëherë Shqipëria ka element që mund të bëjnë dëm në çdo moment”.
“Edhe ne jemi përgatitur për këtë sfidë, kemi pikat tona të forta. Sigurisht, atmosfera në stadium do të jetë e zjarrtë, por ne jemi mësuar me atmosfera të tilla, lojtarët luajnë në stadiume të tejmbushura. Në lojë janë tri pikët dhe ne do të kërkojmë ti marrim këto pikë. Skuadra jonë e ka përvojën, ndeshje të tilla i ka vlerësuar dhe ia ka dalë mbanë”.
“Besonim se në ndeshjen e parë që luajtëm në shtëpi do të fitonim. Duhet t’ia kishim dalë , kjo e bën akoma më të vështirë ndeshjen e nesërme, por besoj se do ia dalim”.
Ndërkohë, mesfushori Soucek është shprehur: “Shqipëria tregoi kualitet edhe në ndeshjen e parë në fushën tonë. Ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë që luajnë në skuadra të rëndësishme, por kjo na motivon. Pavarësisht atmosferës këtu që do të krijohet, e vlerësojmë, ne do të japim gjithçka për të marrë maksimumin”.
sfidanti.al