Itali mos u mërzit, e pe se çfarë “çorbe” bëri Anglia në Islandë?!

Të kaltrit të paktën kishin përballë një skuadër thuajse në 100 për qind të organikës si Bosnjë-Hercegovinën dhe nuk arritën të fitonin. Nga ana tjetër, anglezët e Garet Sauthgejtit ishin në fushë ndaj një Islande të “dhjetuar” nga tërheqja e shumicës së lojtarëve kryesorë, por nuk “qullosën” ndonjë gjë të madhe. Pas disa rasteve të mira në fillim, “tre luanët” u duk se i humbën idetë, dhe u desh të vinte minuta e fundit që Rahim Stërling të fitonte e të shënonte penalltinë vendimtare në sfidën e Ligës së Kombeve. Nuk kishte përfunduar sepse islandezët reaguan shpejt dhe fituan edhe ata 11-metërsh, por që Bjarnasoni e humbi. Në Angli u kujtua humbja 1-2 në çerekfinalet e Euro 2016-ës, cilësuar si më turpëruesja në historinë e kombëtares, veçse këtë herë fati ishte me ishullorët. Trajneri Sauthgejt pranoi vështirësitë, por theksoi se kjo ishte e pritshme për një ndeshje të luajtur pas kaq kohësh.

Sfidanti.al