Ismajli mbetet ende jashtë fushave

Ardian Ismajli do të mbetet sërish jashtë fushe për Empolin, pasi nuk mundi të luante për kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa bashkë me moshën që ecën po shtohen edhe denduria e dëmtimeve. E përditshmja kryesore sportive italiane, “La Gazeta delo Sport” njofton se qendërmbrojtësi nuk u llogarit për ndeshjen e kësaj të shtune në fushën e Komos në Serinë A. Kjo është ndalesa e tretë për të që nga 2 shkurti, ndërsa në total në këto 53 ditë ka qenë në fushë për një ndeshje e gjysmë. Kundër Juventusit në Kupën e Italisë ishte si kapiten vetëm në pjesën e parë, ndërsa në 15 mars u kthye në formacion dhe luajti deri në fund në duelin e kampionatit të humbur 0-1 në fushën e Torinos.

Pas asaj përballjeje, kapiteni I skuadrës toskane u bashkua me kombëtaren, por mundi të stërvitej vetëm pak sepse ndjeu shqetësime muskulore. Bashkë me sfidën kundër Komos, Ismajli ka humbur 7 duele në Itali dhe 2 me kombëtaren. Po kaq, 9, humbi edhe vjet kur u dëmtua në mars dhe mbeti jashtë fushave deri në maj. Edicionet e fundit kanë sjellë probleme për 28-vjeçarin, ndonëse niveli I tij në fushën e lojës është rritur, dhe është konsideruar si një nga mbrojtësit më të mirë në Serinë A këtë vit sportiv. Shqetësimet nisën që në 2022-2023, kur gjithsej humbi 11 ndeshje në katër lëndime të ndryshme, nga shtatori deri në qershor.

 

sfidanti.al