Në Angli, prej ditësh po përflitet për një skandal që ka përfshirë jo vetëm Evertonin por mendohet se mund të prekë edhe klube të kalibrit botëror si Manchester City apo Chelsea. Ironike…nëse mendon se këto klube rrezikojnë ta pësojnë keq për shkak të fshehjes së investimeve që kanë bërë, përtej shumës së fituar nga marrëveshjet e marketingut apo të ardhurat nga burime të tjera. Nëse e sjellim këtë shembull në realitetin shqiptar, mendimet bëhen kotike sepse problemi që futbolli jonë ka në këtë moment krize është pikërisht e kundërta e atij anglez.
E imagjinoni dot sikur klubit të Refik Halilit t’i bllokohet merkatoja për shpenzime pa kriter? Po sikur Tirana apo Dinamo e Skënderbeu të dënoheshin menjëherë sapo të kishin fituar një Champions League dhe të kishin bërë historinë e vendit në nivel europian? Kjo është një situatë që Shqipëria mund ta përjetojë në një “univers paralel” sepse realiteti sot në futbollin vendas është tërësisht ndryshe. Klubet shqiptare në hall për të gjetur burime të ardhurash të sigurta, tentojnë t’i manipulojnë letrat por jo për të fshehur të shpenzimet (siç po bëjnë anglezët), këtë e bëjnë për të fshehur premtimin për pagat e padhëna. Hall ai anglez por hall edhe ky shqiptar. Ishullorët i kanë me shumicë paratë sepse futbolli në Britani është një biznes i sukseshëm, industri e rëndësishme, ndërsa në Shqipërinë tonë, loja e topkëmbës është një siklet që duhet kaluar sa më parë.
Nga Pirro Bardhyli