Erling Haaland nuk është përmbajtur kur ka mësuar se Lionel Messi do të vlerësohej me çmimin “Topi i Artë 2023”. Burime të sigurta pranë lojtarit kanë treguar për “Sport Bild” mbi gjendjen shpirtërore të trazuar të norvegjezit kur mësoi se nuk do të ishte ai fituesi i çmimit prestigjoz.
Jan Aage Fjørtoft mori përsipër që të tregonte gjithçka në një rrëfim për kolegët të “Sport Bild”. Ish-futbollisti norvegjez, i cili sot është gazetar pranë mediave më të rëndësishme amerikane tregon shumë detaje për bashkëkombësin e tij. “Sigurisht që Erling në publik është treguar diplomat dhe ka përgëzuar Mesin. Por unë ju siguroj se ai nuk është i kënaqur me atë që ndodhi. Asnjë sportist i nivelit të lartë nuk do të kënaqej me vendin e dytë. Unë nuk kam asgjë kundër Mesit, por nuk e imagjinoja kurrë se do të mposhte Haland në garën për ‘Topin e Artë’”, tha 56-vjeçari.
Mes të tjerash novegjezi tregoi se sa ka punuar Haland në vitet e fundit për të ngushtuar distancat me Mesin sa i përket kontributit në fushë. “Erling ka punuar tej mase. Ai ishte koshient se nuk ishte i fortë në lojën në ajër si dhe me kombinimet e shpejta. Në të dy këto aspekte ai ka qenë perfekt në sezonin e kaluar. Ka punuar shumë për të treguar versionin e tij më të mirë. Fakti që rivalët i tremben kaq shumë ka bërë që si Silva edhe Foden të kenë më shumë liri në veprime. Edhe në këtë drejtim Erling nuk merr vlerësimin që i takon”, tha gazetari.
Në fjalën e tij Jan Aage Fjørtoft tregon se Haland tani është kthyer në një perfeksionist madje falë dedikimit që ka për futbollin ka mundur që të evitojë edhe dëmtimet e gjata. “Po ta vini re Haland ka munguar vetëm në 13 ndeshje që prej momentin kur iu bashkia Sitit ndërsa gjatë dy viteve e gjysëm në Dortmund mungoi në plot 33 ndeshje. Tani në Mançester ndiqet nga një fizioterapist personal ndërsa gjithashtu vazhdon punën me përgatitësin atletik personal, Xhon Hadad”, tregon norvegjezi.
Jan Aage Fjørtoft tregon të tjera detaje, të cilat nuk mund të evidentohen dot nga publiku i gjerë. “Në Mançester të gjithë e dinë se Rodri është lojtari më i përkushtuar pasi është ai, i cili prezantohet i pari në qendrën stërvitore dhe është po ai, i cili largohet i fundit prej saj. Pas tij vjen Haland. Punon shumë orë për të qenë sa më në formë, por gjithashtu bën një jetë privale të një profili të ulët. Vazhdon të ketë po të njëjtën shokë me të cilët është rritur. Nuk ka ndryshuar edhe pse është njëri nga më të mirët”, thotë ish-futbollisti.
sfidanti.al