Ditën pas poshtërimit që Juventusi pësoi, ka vetëm një përfundim për t’u nxjerrë, sado që mund të duket paradoksale: trajneri tek i cili drejtuesit e Juventusit duhet të investojnë për të rilançuar një projekt në prag të dështimit është vetëm dhe ekskluzivisht Gian Piero Gasperini. Tani më shumë se kurrë, dhe sidomos tani ose kurrë. Tekniku i Atalantës është afruar dhe joshur shumë herë nga Juventusi, i favorizuar nga ADN-ja e tij juventine, nga një e kaluar e pastër dhe një histori e vjetër e lidhur me klubin, e cila nuk është harruar kurrë. Megjithatë, asgjë nuk është konkretizuar deri më sot. Por tani, me 67 vite mbi supe, me statusin e tij të konfirmuar si një trajner i madh jo vetëm për stilin e lojës, por edhe për trofetë e fituar, emërimi i Gasperinit në pankinën bardhezi nuk mund të shtyhet më.
Rruga e tij me Atalantën, e nisur në 2016 dhe e kurorëzuar me suksesin në Europa League, po i afrohet fundit. Aktualisht, ai është i përfshirë në garën për titull, një objektiv më realist se kurrë më parë. Sido që të shkojë sezoni, marrëdhënia e tij me familjen Percassi duket e destinuar për një përfundim të natyrshëm dhe nisja e një cikli të ri në Torino është zgjedhja më logjike dhe e duhura. Gasperini ka gjithçka për të udhëhequr rilindjen e Juventusit: eksperiencën, vizionin, aftësitë menaxheriale, idetë dhe ndjenjën e përkatësisë (një vlerë jo e vogël, sidomos për tifozët). Ai di të përshtatet, të zhvillojë të rinjtë, të rrisë vlerën e kampionëve që ka në dispozicion dhe të implementojë një stil loje spektakolar, tërheqës dhe gjithmonë ofensiv. Ndonjëherë nuk është i përkryer në deklaratat e tij apo në menaxhimin e marrëdhënieve personale, por rezultatet i ka në anën e tij. Deri më tani, edhe në momentet më të nxehta, ai pothuajse gjithmonë ka pasur të drejtë. Me pak fjalë, momenti ka ardhur. Kjo “martesë” duhet të ndodhë, tani ose kurrë!
sfidanti.al