Gala apo.. bela? Futbolli pa vitrinë, pa tifozë..ndan medaljet!

FSHF ka njoftuar se në datën 18 dhjetor do të nxjerrë në vitrinë më të mirët e vitit të kaluar për të vijuar një traditë të nisur pak kohë më parë por pyetja në këtë mes është: Cili është produkti që do të reklamojmë këtë herë? Në 365 ditë futbolli ka ndryshuar shumë në vend, i ndikuar edhe nga ndryshimet radikale dhe deri diku arbitrare të formulës jo vetëm në Superiore por edhe në kategoritë inferiore dhe në futbollin e femrave.

“Në këtë mbrëmje FSHF do të akordojë çmime të rëndësishme të dedikuar për protagonistët e këtij viti, teksa nuk do të mungojnë edhe të ftuar special, personalitete ndërkombëtare, figura të mëdha futbolli, përfaqësues nga bota akademike, ajo politike, e artit, medias dhe kolegë e miq të Federatave të tjera. Gjithashtu, do të ripërshkruhen momentet magjike dhe arritjet e jashtëzakonshme të futbollit shqiptar në vitin 2023, që nga ai vendas, Kombëtarja kuqezi e deri te projektet më të rëndësishme të FSHF që kanë marrë jetë gjatë këtij viti”, shkruan FSHF që nuk sqaron se cilat janë arritjet e futbollit vendas dhe për më tepër servir të ftuar që do të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre. Kjo është një periudhë festash dhe të tillë po e cilësojmë edhe këtë, por vallë kur mund të jetë edhe periudha e reflektimit? A do të kemi ndonjëherë një të tillë apo do të vazhdojmë të gënjejmë veten me arritjet që kërkojmë t’i nxjerrim në një vitrinë që as ekziston.

Nga Pirro Bardhyli