Flamurtari, mbijetojnë pak lojtarë

Rënia nga Superiorja ka detyruar Flamurtarin të bëjë një rindërtim të plotë dhe këtë herë drejtuesit e klubit nuk duan të hedhin hapa të nxituar. Në Vlorë po punohet me kujdes për të ndërtuar një projekt të ri, me objektiv të vetëm rikthimin sa më të shpejtë në elitën e futbollit shqiptar. Burime pranë klubit bëjnë me dije se presidenti Sinan Idrizi kërkon të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe me mentalitet fitues, duke shmangur gabimet e sezonit që sapo u mbyll. Drejtuesit po analizojnë me qetësi gjithçka që ndodhi gjatë kampionatit të fundit, ndërsa lëvizjet konkrete pritet të nisin në fund të këtij muaji.

Fillimisht fokusi do të jetë te stafi teknik, aty ku ende nuk ka një vendim përfundimtar. Dyshja Ribaj-Liçaj, që mori drejtimin e skuadrës në javët e fundit të sezonit, nuk është konfirmuar ende për vazhdimësinë. Brenda klubit ekzistojnë dy opsione: vijimi me trajnerët aktualë, duke u dhënë besim për projektin e ri, ose afrimi i një tekniku me më shumë eksperiencë, i cili mund të marrë përsipër objektivin e rikthimit në Superiore. Kategoria e Parë do të jetë një kampionat shumë i fortë dhe për këtë arsye po mendohet ndërtimi i një grupi me futbollistë cilësorë dhe me eksperiencë. Flamurtari nuk dëshiron të mbetet gjatë jashtë elitës dhe kjo ka bërë që puna të nisë që tani, edhe pse ende sezoni nuk është mbyllur plotësisht për të gjithë lojtarët.