Finalja e Botërorit 2030 do të zhvillohet në Spanjë

Gara për të pritur aktin përfundimtar të Kampionatit Botëror 2030 ka marrë fund me një konfirmim zyrtar: finalja do të luhet në Spanjë. Lajmi është bërë publik nga presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Rafael Louzán, gjatë galasë së Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Madridit, event ku ai u nderua edhe me një çmim të veçantë.

“La Copa del Mundo do të jetë në Spanjë dhe finalja do të luhet këtu”, ka deklaruar Louzán për AS, duke i dhënë fund spekulimeve që kishin shoqëruar muajt e fundit. Në periudhën e kaluar, Maroku ishte përmendur si një alternativë e mundshme për ndeshjen finale, por tashmë dilemat janë shuar dhe Spanja do të jetë skena kryesore e momentit kulmor të Botërorit 2030.

Megjithatë, mbetet ende e hapur çështja e stadiumit që do të presë finalen. Kandidati kryesor pritet të jetë ‘Santiago Bernabéu’ në Madrid, i rinovuar së fundmi dhe i konsideruar një nga impiantet më moderne në botë, por vendimi përfundimtar ende nuk është bërë publik. Gjatë fjalës së tij, Louzán preku edhe një tjetër temë të rëndësishme, atë të kalendarit të brendshëm spanjoll. Sipas tij, orientimi i Federatës është që finalja e ‘Copa del Rey’ të zhvillohet në fundjavën e 18–19 prillit. Një datë që mund të sjellë vështirësi nëse Real Betis do të arrijë në gjysmëfinalet e Europa League, pasi do të ishte i angazhuar në arenën evropiane të enjten paraprake.

“Po punojmë tashmë me autoritetet përkatëse dhe me UEFA-n”, ka theksuar Louzán, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshime në programin e La Liga-s, me synimin për një organizim të qëndrueshëm dhe pa konflikte. Botërori 2030, gjithnjë e më afër, po merr kështu edhe konturet e tij përfundimtare.

sfidanti.al