FIFA konfirmon: Dritare speciale merkatoje në qershor

FIFA ka zyrtarizuar hapjen e një dritareje të veçantë të merkatos nga data 1 deri më 10 qershor 2025, e cila do t’i lejojë 32 skuadrat pjesëmarrëse në Kupën e Botës për Klube të përfshijnë lojtarë të rinj në listën zyrtare të turneut. Turneu do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara nga 14 qershori deri më 13 korrik. Vendimi prek 20 federata kombëtare, përfshirë Italinë, e cila do të përfaqësohet nga Interi dhe Juventusi.

Në një komunikatë zyrtare, FIFA sqaroi:

“Afati për dorëzimin e listës përfundimtare të skuadrave është caktuar për më 10 qershor, duke i dhënë mundësi çdo klubi që merr pjesë të regjistrojë lojtarët e rinj të afruar gjatë kësaj periudhe dhe t’i marrë me vete në SHBA.” Gjithashtu, FIFA ka parashikuar edhe një dritare të dytë të shkurtër merkatoje, nga 27 qershori deri më 3 korrik, për të lehtësuar kalimet e lojtarëve që u skadon kontrata në fund të qershorit. “Kjo dritare shtesë synon të ndihmojë klubet dhe lojtarët të gjejnë zgjidhje të përshtatshme për të mundësuar pjesëmarrjen e tyre në turne. Do të sigurohet që skuadrat të kenë në dispozicion lojtarët më të mirë të tyre, përfshirë edhe përforcimet e reja.” Me këtë rregullore të re, FIFA kërkon të garantojë një nivel sa më të lartë gare në Kupën e Botës për Klube, duke e kthyer atë në një ngjarje madhore të verës në arenën ndërkombëtare.

sfidanti.al