Ferko: Kampionat i trukuar

Alfred Ferkon e bind ky Flamurtar. Drejtori i klubit thotë, se kjo skuadër po prodhon dhe është në momentin e duhur. Ferko pohon se ndeshja e radhës ka vlerën e tri pikëve. Na vjen mirë që Flamurtari po fiton dhe po prodhon. Më në fund besoj se edhe po argëton tifozët vlonjatë. Janë disa ndeshje radhazi që ekipi po tregon se është në momentin e duhur. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Ndeshja e radhës është si të gjitha të tjerat. Flamurtari i druhet vetëm vetes së vetë. Duhet që të bëjmë detyrën dhe në Berat do të shkojmë për të fituar”, shprehet fillimisht Ferko.  Eqerem Memushi nuk do të jetë në pankinë në ndeshjen me Tomorin. Kjo, pasi është dënuar me 6 ndeshje nga Komisioni i Disiplinës. Por Memushi do të drejtojë nga tribuna. “Trajneri është ai që drejton. Ndoshta edhe nga lart, nga tribuna. Është ai që merr të gjitha vendimet. Të mos harrojmë se kemi afër edhe një trajner shumë të aftë, një specialist si Edmond Liçaj dhe plus që janë edhe ndihmësit e tij, si Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj. Ata janë afër ekipit”, shprehet Ferko. Alfred Ferko flet edhe për padrejtësitë që po i bëhen Flamurtarit, që i cilëson me dashje. “Unë kam pasur fatin e keq që ta përjetoj ndeshjen me Dinamon. Do të thosha që ajo vazhdimësi vazhdon në kurriz të Flamurtarit. Ndeshja me Elbasanin tregoi se është vërtet një kampionat i trukuar dhe të vjen keq për atë që ne bëjmë në fushën e lojës. Presidenti Sinan Idrizi vazhdon të investojë sikundër ka bërë gjithnjë për të krijuar një Flamurtar të denjë për t’i fituar ndeshjet në fushën e lojës. FSHF-ja me në krye presidentin Duka vazhdojnë që të na dënojnë vazhdimisht. Ishte një absurditet i madh edhe gjoba që morëm në Elbasan për tifozët pasi unë si përfaqësues i Flamurtarit kam deklaruar se nuk kemi tifozë të organizuar, kështu që në një tribunë të madhe askush nuk mund ta dijë që dikush hedh një send në fushë dhe ai vjen nga Vlora.

sfidanti.al