Falenderim i Xhakomo Vrionit pas dedikimit të Moratës pas golit!

Një ndodhi e veçantë pas një goli. Jo edhe aq sepse Alvaro Morata i Juventusit bëri një dedikim ndërsa shënoi, por sepse ai u bë për një shqiptar. Sulmuesi spanjoll i Juventusit shkoi drejt një kamere në stadiumin e Beneventos, duke thënë “qendro i fortë mik”, ndërsa këto fjalë ishin për lojtarin e kombëtares shqiptare, Xhakomo Vrioni.

Ishte gol i rëndësishëm që kaloi kampionët në epërsi në ndeshjen e Serisë A, ndonëse nuk arriti t’u jepte fitoren. Mediat italiane i bënë jehonë veprimit të Moratës, duke sqaruar se bëhej fjalë pikërisht për Vrionin, që luan për Juventusin U23, dhe që u dëmtua rëndë pak ditë më parë. Shqiptari 22-vjeçar nuk vonoi t’i kthente përgjigje mikut të tij, duke botuar reagimin e tij në Instastori. “Alvaro Morata, faleminderit nga zemra! Të dua shumë”, – shkruajti ai.

Vrioni dhe spanjolli janë miq të ngushtë tek Juventusi, siç e dëshmojnë fotot e përbashkëta hedhura në rrjetet sociale. Sulmuesi shqiptar, i rritur tek Sampdoria, është bashkuar me Juventusin në verën e këtij viti, duke u stërvitur shpesh herë me skuadrën e parë të Kristiano Ronaldos, por duke luajtur në kampionatin U23. Vrioni shënoi pak ditë më parë në fitoren 2-0 ndaj Grosetos, por më pas pësoi dëmtim të rëndë. Futbollisti i lindur në Itali ka luajtur për Shqipërinë U21, ndërsa është thirrur edhe në kombëtare nga trajneri Edi Reja.

Sfidanti.al