Finalja e vitit 1992 në Kupën e Europës do të mbetet një nga më të veçantat në historinë e futbollit. Ajo kujton paksa suksesin e Greqisë në Portugali ku skuadra më pak e kuotuar, Danimarka që për më tepër zëvendësoi në çastet e fundit Ish-Jugosllavinë për shkak të luftës në Bosnje Hercegovinë, arriti deri në finale e madje triumfoi përballë Gjermanisë në stadiumin “Nya Ullevi” të Gotenborgut. Nordikët e kthyer nga plazhi pasi kishin marrë pushimet, u njoftuan për pjsëmarrjen në europian vetëm 10 ditë përpara fillimit. Në finalen e madhe, përballë 37800 spektatorëve, Gjermania bëri një start më të mirë por Peter Schmeichel rezultoi vendimtar ndaj finalizimeve të Stefan Reuter dhe Guido Buchwald ndërsa në të 18-ën, aksioni i nisur nga këmbët e Flemming Povlsen u konkretizua nga John Jensen i cili nuk e fali portierin Bodo Illgner. Edhe gjatë pjesës së dytë, Schmeikel nuk lejoi që porta e tij të prekej ndërsa Danimarka shënoi edhe të dytin me autor Kim Vilfort. Kjo konsiderohet si një nga ndeshjet më shokuese të historisë së futbollit por jo vetëm, i gjithë kompeticioni i luajtur 32 vjet më parë është i pazakontë e si për ironi, shqiptarëve u jep një fije shpresë se në futboll, mrekullitë janë më të zakonshme se sa në fusha të tjera të jetës.
sfidanti.al