Katër vjet më parë duket sikur ishte dje. Kombëtarja shqiptare arriti një fitore prestigjioze 3-2 në miqësoren me Turqinë në fushën e kësaj të fundit, dhe mbi të gjithë u dallua një djalosh 22-vjeçar me emrin Eros Grezda. Gjithsesi, heroi i asaj sfide që realizoi dy gola, nuk mund ta dinte që e ardhmja do të ishte aq shumë problematike. Kjo histori u kujtua këtë fundjavë, kur Grezda ringjalli karrierën e tij, pas 3 vjetësh të helmuara. Ai hyri në fushë si zëvendësues për Zalaegersegun në Superligën e Hungarisë duke shënuar golin e fitores 2-1 në stadiumin e Debrecenit. Edhe pse ka luajtur vetëm 13 për qind të minutave deri tani, shqiptari 26-vjeçar reagoi në Instagram duke treguar çlirimin e tij të madh.
E habitshme sesi një karrierë e destinuar për lart të bëjë prapa për kaq shumë kohë. Për 3 sezone radhazi, nga 2015 deri në 2018, Grezda ishte lojtar i dalluar në Ligën e Parë të Kroacisë me Lokomotivën e Zagrebit dhe me Osijekun, dhe kjo bëri që të siguronte transferimin tek Rejnxhërsi, nën drejtimin e trajnerit Stiven Xherrard, ish-kapiten i lavdishëm i Liverpulit. Me ekipin më të famshëm të Skocisë, shqiptari i Kosovës nuk mundi të gjente veten, duke pësuar dëmtime, e duke pasur edhe probleme jashtë fushe. Xherrard e la jashtë skuadrës, dhe ai u detyrua ta niste karrierën nga fillimi.
Kaloi dy sezone sërish në Kroaci tek Osijeku, por u pengua nga lëndimet fizike, dhe nga 3 operacione, pasi dy të parët nuk ishin të suksesshëm. Gjithsesi, pasi këmbënguli fort arriti të siguronte kalimin në një kampionat më të fortë siç është Superliga e Hngarisë, tek Zalaegersegu. Shpresa është që Eros Grezda të kthehet aty ku ka qenë, diçka që do të ndihmonte edhe kombëtaren shqiptare.
Sfidanti.al