Ernest Muçi ishte pranë Galatasaray

Ernest Muçi është cilësuar si një nga goditjet më të rëndësishme në merkato që ka bërë klubi i Beshiktashit gjatë kohëve të fundit, pasi shumëkush sheh futbollistin e Kombëtares shqiptare si një lojtar me të ardhme të garantuar. Por në fakt, Muçi mund të ishte bërë pjesë e një tjetër klubi të madh turk që në verë. Mediat turke kanë mësuar se gjatë vitit të kaluar, ka qenë klubi i Gallatasarajt ai i cili kishte hedhur sytë nga futbollisti shqiptar për të përforcuar radhët e tij. Zëvendëspresidenti i Gallatasarajit, Erden Timur, raportohet se ka qenë në negociata me polakët gjatë vitit të kaluar për të transferuar futbollistin shqiptar. Oferta e Gallatasarajit arriti deri në 15 milionë euro, por Legia Varshava pretendonte të fitonte 18 milionë euro nga shitja e tij. Në fund, negociatat u mbyllën pa shtrëngim duarsh dhe Muçi e nisi sezonin si pjesë e Legias. Por në janar, në dyert e klubit polak trokiti Beshiktash, që bindi drejtuesit që të shitnin futbollistin për 10 milionë euro plus 10% të transferimit të ardhshëm të tij. Kështu, Muçi u transferua në Turqi dhe tani do të jetë një rival i Gallatasarajit, i cili ishte interesuar i pari për të.

sfidanti.al