Elbasani insiston për Armando Sadikun

Elbasani vazhdon të mbajë gjallë një nga pistat më të rëndësishme të merkatos së verës: afrimin e sulmuesit me eksperiencë ndërkombëtare, Armando Sadiku. Edhe pse 33-vjeçari ka prioritet të vijojë karrierën jashtë vendit, verdheblutë nuk kanë hequr dorë dhe vijojnë të besojnë se një marrëveshje mund të konkretizohet, për aq kohë sa lojtari mbetet i lirë në merkato. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kontaktet me kampin e lojtarit nuk kanë munguar, duke tentuar ta bindin për një rikthim në Shqipëri dhe për të veshur fanellën verdheblu në sezonin e ri.

Elbasani po ndërton një projekt serioz për sezonin e ardhshëm, me qëllimin për të qenë konkurrues dhe për të ndërtuar një ekip me përzierje përvoje dhe rinie. Në këtë kuadër, ardhja e një lojtari si Sadiku shihet jo vetëm si një përforcim me peshë në repartin ofensiv, por edhe si një lider i mundshëm brenda grupit. Me një karrierë të pasur në Zvicër, Spanjë, Turqi, Indi, etj. dhe në përfaqësuesen shqiptare, Armando Sadiku do të sillte një nivel të lartë profesionalizmi dhe përvoje në skuadër. Elbasani beson se ky është momenti ideal për ta afruar, sidomos nëse sulmuesi nuk gjen një destinacion të përshtatshëm jashtë kufijve.

Nga ana tjetër, vetë Sadiku vijon të jetë i orientuar drejt një aventure të radhës jashtë Shqipërisë. Sulmuesi i Kombëtares ka ende kërkesa dhe është në pritje të ndonjë oferte që përputhet me objektivat e tij sportivë dhe personalë. Megjithatë, për aq kohë sa është lojtar i lirë, Elbasani mban të hapur mundësinë dhe është gati të hidhet në veprim sapo të shfaqet një dritare reale. Në Elbasan nuk fshihen, dëshira për të pasur në skuadër një sulmues të kalibrit të Armando Sadikut është e madhe. Edhe pse është e qartë se pista është e vështirë dhe varet nga shumë faktorë, klubi mbetet në gatishmëri të plotë për ta konkretizuar këtë goditje të madhe në merkato, nëse krijohen kushtet. Për momentin, verdheblutë janë në pritje, duke ndjekur me kujdes situatën. Një gjë është e sigurt: në Elbasan, dera për Sadikun është e hapur dhe pritja vazhdon me shpresën se fundi i kësaj merkatoje do të sjellë një surprizë të madhe për tifozët.

sfidanti.al