Egnatia zyrtarizon listën për Europën

Egnatia ka dorëzuar listën zyrtare të futbollistëve që do të ketë në dispozicion për fazën e ligës së UEFA Conference League, ku kampionët e Shqipërisë do të shkruajnë një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e klubit. Në listën e regjistruar në UEFA janë përfshirë 21 futbollistë, ndërsa gjashtë të tjerë kanë mbetur jashtë dhe nuk do të mund të aktivizohen në këtë fazë të kompeticionit. Mes mungesave spikat emri i Ledio Beqjas, i cili është përballur me probleme dëmtimesh që prej transferimit te Egnatia. Mesfushori u afrua me bujë nga ETO Győr në Hungari, pasi sezonin e kaluar ishte pjesë e Dinamos në formë huazimi.

Jashtë listës është edhe Sumaila Bakajoko, mungesë e pritshme për shkak të një dëmtimi të rëndë që pritet ta mbajë për disa muaj larg fushave. Katër emrat e tjerë që nuk janë regjistruar janë Deivid Hoxha, Bjorni Duka, Reis Bakalli dhe Zyber Çullhaj. Bëhet fjalë për futbollistë të datëlindjes 2007, të cilët mund të përfitojnë nga rregulli i veçantë i përdorur në kompeticionet vendase, por nuk plotësojnë kriteret për listën europiane.

Kështu, Egnatia është e detyruar të konkurrojë me vetëm 21 lojtarë, në vend të 25 të lejuarve. Shkak është mungesa e futbollistëve të formuar në klub për një periudhë trevjeçare, nga mosha 15 deri në 21 vjeç, kriter ky që ndikon në numrin maksimal të lojtarëve të regjistruar. Kampionët shqiptarë do ta nisin aventurën europiane më 15 tetor, në “Air Albania”, ndaj Midtjylland, në orën 18:45. Në portë janë regjistruar Levani Tandilashvili, Bruno Puja dhe Mario Dajsinani, ndërsa në mbrojtje Zamig Aliyev, Alessandro Kacbufi, Edison Ndreca, Guillem Jaime, Numan Ajeti, Elion Sota, Andrey Yago, Eneo Bitri dhe Geralb Smajli. Në mesfushë bëjnë pjesë Albano Aleksi, Fernando Medeiros, Ibrahim Diabate, Altin Kryeziu dhe Karim Loukili, ndërsa në sulm Daniel Adjesa, Alesandro Albanese, Ildi Gruda dhe Jurgens Montenegro. Egnatia do të drejtohet nga trajneri Nevil Dede.

Lista mund të ndryshojë vetëm në rast të një dëmtimi të rëndë që zgjat më shumë se 60 ditë, duke bërë të mundur zëvendësimin e një futbollisti të dëmtuar. Pas përballjes me Midtjyllandin më 15 tetor, Egnatia do të luajë më 22 tetor ndaj Aarhusit në transfertë, më 5 nëntor kundër Universitatea Craiova në transfertë, më 26 nëntor ndaj Lincoln Red Imps në shtëpi, më 10 dhjetor kundër Kauno Žalgiris në “Air Albania” dhe do ta mbyllë fazën e ligës më 17 dhjetor në transfertën ndaj Bragës.