Romagnoli largohet nga Lazio, mbrojtësi italian transferohet te Al-Sadd

Alessio Romagnoli nuk është më lojtar i Lazios. Klubi italian ka konfirmuar zyrtarisht largimin e mbrojtësit, i cili do të vazhdojë karrierën në Katar, te Al-Sadd. Pas disa muajsh negociatash dhe pasigurie rreth të ardhmes së tij, ish-mbrojtësi i Milanit dhe Sampdorias i jep fund aventurës në Serie A dhe transferohet te skuadra nga Doha. Romagnoli ka firmosur një kontratë trevjeçare, të vlefshme deri në vitin 2029. Mbrojtësi italian, i cili ishte një prej lojtarëve të rëndësishëm të Lazios, do të nisë kështu një kapitull të ri në karrierën e tij, larg futbollit italian. Vetë Romagnoli ka reaguar pas transferimit, duke e përshkruar këtë lëvizje si një sfidë të re në karrierën e tij. “Kam qenë gjithmonë një luftëtar, një mbrojtës, një lider. Futbolli më ka çuar në vende të jashtëzakonshme, ndërsa tani më ka sjellë në Doha. Një kapitull i ri, një fanellë e re. Jam Alessio Romagnoli, jam lojtar i Al-Sadd”, u shpreh ai. Me këtë transferim, Romagnoli largohet përfundimisht nga Serie A, ku gjatë karrierës së tij ka mbrojtur ngjyrat e Sampdorias, Milanit dhe Lazios.