Egnatia, një klub “anormal” në Shqipëri

Partizani dhe Tirana ndoshta duhet të mësojnë diçka nga Egnatia që këtë sezon e nis sërish si pretendente për të mbrojtur titullin dhe këtë e tregoi me sinjalet që dha me rinovimin e kontratës me trajnerin kampion, Edlir Tetova. Pavarësisht ecurisë jo shumë pozizive në Europë, klubi i besoi projektin e sezonit të ri trajnerit që e shpalli kampion për herë të parë në histori, duke i “dhënë Çezarit atë që i takon Çezarit”, pra, mirënjohje dhe me fakte dhe jo me fjalë.

Kush është lajmi në këtë mes? Sigurisht që ka një lajm shumë të madh; një klub kampion në Shqipëri shpreh mirënjohje ndaj njeriut që e shpalli të tillë sepse kjo është një situatë e pazakontë në “xhunglën” e Superiores. E mbani mend Ernest Gjokën e Kukësit, po Skënder Gegën apo Colella-n? Nëse nuk mjaftojnë si shembuj, të tillë kemi edhe më tej, në anën bardheblu të kryeqytetit ku rasti më i pakuptimtë është ai i Emanuel Egbo, i cili pasi fitoi titullin duke e marrë Tiranën në situatë të vështirë, u largua sepse pas kuintave, drejtuesit nuk e përtypën dot mospërfshitjen e djalit të presidentit në formacion. Historia njeh plot apisode të tilla në Superiore por ky nuk është rasti i Egnatias që në Europë nuk fitoi shumë por në menaxhim ka një orientim tërësisht perëndimor.

Nga Pirro Bardhyli