Ndonëse Egnatia duket e kompletuar në të gjitha repartet, ka ende edhe një vend për të plotësuar. Bëhet fjalë për një sulmues tipik.E ka paralajmëruar vetë presidenti Agim Demrozi, por edhe trajneri Edlir Tetova do e dëshironte një sulmues për të rritur konkurrencën në skuadër dhe pasur sa më shumë alternativa në majën e këtij reparti. Dhe, duke se zgjidhja do të vijë nga Holanda, aty ku kanë piketuar Arian Kastratin. Mes palëve ka pasur sinjale bashkëpunimi dhe mbetet për t’u parë nëse në fund do të arrihet në një konkluzion të përbashkët dhe sulmuesi kosovar t’i bashkohet kampionëve. Arian Kastrati është 23 vjeç, i cili më herët ka provuar të luajë me ekipin e Fortuna Sitard në Eredivise, siç njihet ndryshe edhe kampionati elitar i futbollit holandez. Bëhet fjalë për një futbollist gjigand 194 cm, i cili ka qenë pjesë e Kombëtares Shpresa të Kosovës, duke luajtur në dy ndeshje me ta. Ai ka qenë gjithashtu edhe pjesë e ekipit të Mastrihtit në Ligën e Dytë holandeze, ndërsa më herët provoi edhe një aventurë në kampionatin slloven me ekipin e NK Dekani.
Për herë të fundit ka mbajtur të veshur fanellën e SC Farense në Portugali, ndërsa aktualisht është një lojtar i lirë në treg. Mosha e tij e re dhe fakti që është rritur në kampionatin holandez duke luajtur edhe përballë ekipeve si Ajaksi apo PSV, duket se po intrigojnë jo pak drejtuesit rrogozhinas ta afrojnë në skuadër dhe të kenë zbuluar një “xhevahir”, nga i cili mund të përfitojnë më pas në ndonjë shitjeje të mundshme. Burimet tregojnë gjithashtu se ndaj Kastratit ka pasur interesim edhe nga ekipe të tjera të Superiores, por duket se rrogozhinasit janë më të avantazhuar për ta bërë të tyrin, edhe për shkak të dëshirës së lojtarit që të jetë në një skuadër konkurruese.