E gjithë Kroacia drejt Moskës për shansin e finales botërore!

I gjithë shteti në këmbë për kombëtaren. Kroacia duket sikur do të shkojë e gjitha në Rusi për gjysmëfinalen e Botërorit ndaj Anglisë, dhe në krye të eksodit janë dy dinjitarë tepër të lartë. Kryeministri Andrej Plenkoviç dhe kryetari i Kuvendit, Gordan Jandrokoviç, morën avionin në aeroportin e Zagrebit, për të qenë në stadiumin “Luzhniki” të Moskës.

Kryeministri dhe një foto në adresën e qeverisë kroate në Tuiter, ku ishte në avion bashkë me kryetarin e Kuvendit: “Do të mbështesim të zjarrtët! Vetëm fitore!” Plot 1 500 tifozë fluturuan drejt kryeqytetit rus, me 6 avionë çarter, më i madhi i të cilëve mbante 450 pasagjerë.

Përpara kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, në Rusi ishte vetë presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç, e cila e ndoqi ekipin në çerekfinalen ndaj rusëve. Numri 1 i shtetit shkoi më pas në hotelin e kombëtares, dhe u përshëndosh me ekipin, pasi duhej të kthehej në Zagreb për arsye pune.

Gjithsesi, të mbiquajturit “të zjarrtët” nuk do të jenë vetëm. Janë me mijëra tifozët në kryeqytetin rus, të cilët do të përkrahin kombëtaren në stadium, ose do të ndjekin ndeshjen në “Fan Zonë”, për ta kthyer Moskën në një qytet kroat.

Sfidanti.al