Në Itali është cilësuar shpesh si monument kulture, apo sporti. Nuk mund të jetë ndryshe një njeri me gati 60 vjet lidhje me futbollin, siç është Edi Reja, njeriu që sot është trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit. Përtej karrierës në fushë e në stol, veterani italo-slloven tërheq vëmendjen edhe për disa nga miqësitë e tij të veçanta, njohje që përfshijnë shkrimtarin, aktorin, gazetarin dhe drejtuesin e filmave, të shquarin Pier Paolo Pazolini.
Reja kujton se njohja ndodhi në plazhin e Grados, në lagunën pranë Venecias, ku në atë kohë shkonin futbollistë të njohur si ai, Kapelo, Riva apo Sormani, dhe që njiheshin me emrin “banda e Grados”. Në Grado, në një natyrë shumë të bukur, Reja e të tjerët luanin futboll me Pazolinin, dhe trajneri i Shqipërisë e kujton si lojtar krahu tipik, të shpejtë dhe teknik, të cilit duhej t’i bëje faulla për ta mbajtur.
Pazolini ishte intelektual i shquar i kohës, i akuzuar si komunist dhe më pas i vrarë, drejtues i filmave të shumtë, siç ishte “Meduza”, ku luajti edhe aktorja e madhe Maria Kalas, film që pati shumë skena të xhiruara në Grado.
Një tjetër miqësi e shtrenjtë e Rejës ishte ajo me Airton Senën. Trajneri i Shqipërisë e njohur pilotin e famshëm brazilian në Peskara, kur punonte si trajner i ekipit Shpresa të klubit. Reja pati takime të shpeshta me Senën, por mban mend një ditë speciale, të shtunën e 30 prillit 1994, kur darkoi me Senën, një ditë përpara vdekjes së kampionit të madh të Formula 1.
Kanë kaluar shumë kohë që atëherë, por ndërsa Reja drejton kombëtaren shqiptare, nuk i harron dy miqësitë e tij tragjike, me personazhet që humbën jetën para kohe, Pier Paolo Pazolinin dhe Airton Senën.
Sfidanti.al