Durmishaj, mirënjohja e natyrshme për Greqinë erdhi vetëm pas një dyzimi!

Ishte krejtësisht e drejta e tij për të zgjedhur. Fiorin Durmishaj tashmë e ka deklaruar vendimin, që është për të luajtur me kombëtaren e Greqisë, duke i dhënë fund shpresave të tifozëve shqiptarë që ta shikonin me fanelën kuqezi.

Sulmuesi 22-vjeçar i ngjau thuajse pikë për pikë rasteve të shqiptarëve të Zvicrës, me origjinë nga Kosova, si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili apo Valon Behrami, të cilët zgjodhën pikërisht Zvicrën, vendin ku u rritën dhe u formuan si lojtarë.

“Unë nuk mundem të mos e dua këtë vend, – janë fjalët e sulmuesit për emisionin “Total Futboll”, – shokët e mi janë grekë, ata më kanë ndihmuar shumë dhe nuk më shikojnë si të huaj, siç ndodhte më parë. Erdha me familjen në Greqi në kohë shumë të vështira, dhe më ndihmuan, për këtë arsye unë dua ta nderoj këtë vend aq sa të mundem”.

Gjithsesi, në ndonjë media greke nuk është pëlqyer ajo që Durmishaj i ka thënë trajnerit të Shqipërisë U21, Alban Bushi, duke i kërkuar falje që ka zgjedhur Greqinë. “Një deklaratë që duhet diskutuar kur vjen puna për kombëtaren, kërko falje për Durmishajn”, titullon njëra prej mediave.

Futbollisti duket se nuk ka qenë kaq i bindur që në fillim se duhej të luante për Greqinë, sepse ai ka 8 ndeshje me Shqipërinë U21 nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi, madje duke shënuar edhe një gol, në fitoren 3-2 në fushën e Islandës. Gjithsesi, në momentin që duhej të zgjidhte, Durmishaj duket se u mendua më thellë dhe vendosi që të bënte për Greqinë atë që nuk bëri kur ishte në moshën nën 21 vjeç.

Sfidanti.al