Në Itali janë të sigurt; Guardiola ka arritur akordin me Juventusin

Shtohen gjithnjë e më shumë zërat për largimin e Masimiliano Alegrit pavarëshisht përpjekjes së këtij të fundit për t’i shuar ato. Në median italiane tashmë po flitet shumë për pasuesin e livornezit dhe së fundmi prej tyre ka dalë edhe një lajm i bujshëm; Zonja e Vjetër ka arritur marrëveshjen me Pep Guardiolën për të marrë drejtimin e bardhezinjve.

Lajmi u bë i ditur nga gazetari i ‘Il Giornale’, Luixhi Guelpa sipas të cilit, Guardiola do të jetë trajneri i kampionëve të Italisë në 4 sezonet e ardhshme. Vlen të theksohet se Guelpa ishte ndër të parët që bëri të ditur lajmin e transferimit të Kristiano Ronaldos te Juventusi verën e kaluar, kështu që ai duket një burim i besueshëm.

Pep Guardiola kaloi të Mancester Siti në verën e vitit 2016 pasi qëndroi 1 vit pushim pas largimit nga Bajerni i Mynihut. Kampionët e Anglisë së fundmi janë vënë nën hetimin e UEFA për mosrespektimin e rregullit të Fairt Play Financiar duke rrezikuar përjashtimin nga kompeticionet evropiane, një motiv i fortë ky që duket se shtyn Guardiolën të shohë nga Juventusi.

sfidanti.al