Skuadra e Dritës e ka siguruar titullin e kampionit të Kosovës, katër xhiro para përfundimit të edicionit 2024/25 në Albi Mall Superligë. Në ndeshjen e javës së 32-të, të zhvilluar të dielën në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, Drita e mposhti Llapin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm dhe të fitores e realizoi Iljasa Zulfiu, në minutën e 84-t, nga gjuajtja e lirë.
Me këtë fitore, Drita arriti në kuotën e 69 pikëve dhe krijojë një diferencë prej 12 pikësh ndaj Ballkanit të vendit të dytë. Duke pasur parasysh që Drita i ka fituar të tri përballjet direkte ndaj Ballkanit në këtë edicion, edhe në rast të barazimit eventual të pikëve në fund të kampionatit, ekipi gjilanas e ka të sigurt titullin.
Ky është titulli i katërt kampion në histori për Dritën, pas atyre të fituar në vitet 2003, 2018 dhe 2020.
Ndërkaq, në ndeshjen tjetër Ferizaj ka shënuar fitore të madhe si mysafir ndaj Suharekës, me rezultat 2:1, duke shtuar gjasat për pjesëmarrje në garat evropiane, pasi tani ka arritur në kuotën e 48 pikëve, aq sa ka edhe Malisheva në pozitën e tretë, që dërgon në garat evropiane. Valmir Nafiu i dha epërsinë Ferizajt në minutën e 59-të, ndërsa vendasit barazuan në minutën e 79-të përmes Fitim Susurit. Megjithatë, Marko Musulin realizoi golin e fitores për ferizajasit në minutën e 84-t, duke vulosur tri pikët e radhës. Në anën tjetër, Suhareka mbetet në pozitën e parafundit me 33 pikë dhe do të ketë luftë të ashpër në javët e mbetura për të siguruar mbijetesën në elitë.
sfidanti.al