Nuk ka Dinamo “satelit” të Universit City sepse Manchester City nuk ka afruar klubin kryeqytetas në “galaktikën” e vet duke e nisur gjithçka nga fillimi. Projekti i nisur për t’i shndërruar 18-herë Kampionët e Shqipërisë në një satelit të Manchester City-t me vendndodhje në Durrës dhe me emërtimin “Dinamo City”, nuk do të realizohet. Në fakt, projekti i “City Group” për të hapur një akademi dhe për të kontribuar në rritjen e futbollit shqiptar do të vijojë, por duke nisur një projekt nga e para dhe duke krijuar një akademi të quajtur “Dyrrah City Football Academy”, e cila më pas do të konkretizohet edhe me një skuadër që do të nisë nga fillimi të gjitha etapat në futbollin shqiptar.
“Dyrrah City Football Academy”, ka nisur përgatitjen për të ushtruar aktivitetin në Shqipëri ndërsa është krijuar edhe faqja zyrtare në rrjetet sociale, teksa njoftohet se synimi do të jetë promovimi, evidentimi dhe disiplinimi i talentëve shqiptarë. “Dyrrah City Football Academy”, është një organizatë jofitimprurëse (OJF) e krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe “City Group” e që do të ndërtojë qendrën më të madhe dhe më moderne me ambiente trajnimi në vend dhe më gjerë. Vizioni i akademisë nuk është vetëm promovimi i talenteve të reja, por edhe frymëzimi i vlerave përmes lojës së bukur të futbollit.
sfidanti.al