Dinamo City me fitore të rëndësishme në Andorrë

Dinamo City ka arritur një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League, duke përmbysur Atletic Escaldes në transfertë me rezultatin 1-2.

Pavarësisht dominimit në pjesën e parë, ku skuadra e trajnerit Ilir Daja pati kontrollin dhe krijoi volum loje, Dinamos i munguan goditjet e rrezikshme në portë. Mungesa e sulmuesit Itodo Mandela u ndje, edhe pse Lorenco Vila u përpoq të mbante peshën e sulmit. Rasti i vetëm i rrezikshëm për Dinamon në këtë pjesë erdhi pas një daljeje të gabuar të portierit Marinovic, që krijoi konfuzion në zonën vendase. Në minutën e 43-të, Atletic Escaldes përfitoi nga një goditje standarde, duke kaluar në avantazh me golin e Vieira-s.

Në pjesën e dytë, Dinamo shtoi presionin dhe nisi të krijonte raste të rrezikshme. Nani goditi shtyllën, ndërsa Vila dhe Zabergja gabuan në finalizim. Barazimi erdhi në minutën e 65-të pas një tjetër gafe të portierit Marinovic, të shfrytëzuar mirë nga Zabergja. Në minutën e 86-të, Qardaku realizoi golin e përmbysjes, duke i dhënë Dinamos një fitore me shumë vlerë në këtë transfertë.

Ky është suksesi i dytë i një skuadre shqiptare në transfertë për këtë edicion të Kupave të Europës, pas fitores 2-4 të Vllaznisë ndaj Daugavpils. Një rezultat që rrit shpresat për një tjetër kualifikim dhe që ka peshë për gjithë futbollin shqiptar.

sfidanti.al