Derbi Tirana – Partizani është kthyer në mahni, ose e thënë ndryshe, një arsye për të treguar se futbolli ekziston edhe në Shqipëri. Në prag të ndeshjes së të premtes ka ndodhur pothuajse e njëjta gjë. Të gjitha biletat që janë nxjerrë në shitje kanë qëndruar vetëm pak orë nëpër sportele, ndërsa pjesë më e madhe janë shpërndarë me porosi, pavarësisht çmimit prej 20 mijë lekësh (të vjetra). Pra “Selman Stërmasin” e kemi të mbushur që prej 3-4 ditësh dhe kjo e sigurtë, ajo që nuk e dimë ende është, se çfarë cilësie do të ketë ndeshja. Në fakt, kjo e fundit nuk na ka interesuar shumë vitet e fundit, megjithëse logjikisht duhet të ishte elementi kryesor i një derbi. Madje, në të kundërt jemi mjaftuar me shfaqen e tifozëve. Parakalimet e tyre të zhurmshme me flakadanë e vuvuzela, rrugët e bllokuara, kordonet e gjata me policë, si dhe banerat thumbues brenda territorit të stadiumeve kanë qenë aq të mjaftueshme për ne, saqë me këtë show kemi identifikuar futbollin.
Këto do të ndodhin edhe të premten, por Tirana – Partizani gjithnjë e më shumë bëhet një ndeshje e çuditshme. Deri 2-3 dekada më parë, kur tek ne ende luhej futboll, jo nga ai për të lënë mendjen, por që ishte organik, skuadra të tilla kishin në përbëje lojtarë që kishin kontribuar ndjeshëm për pasurimin e histories së tyre. Ekipe që përfundonin në majë me Agustin Kolën, Arben Mingën, apo Ylli Shehun, e rrisnin vetvetiu interesin, madje edhe tek ata që me futbollin kishin lidhje periferike. Ndërsa sot, biletat e “Selman Stërmasit” i kanë shitur Michael N’Goo, Emmanuel Mensah dhe Jurgen Bardhi që po vazhdon të rritet tek Partizani, madje të gjitha. Ky nuk mund të jetë tjetër, përveçse një reaksion kimik i nxitur edhe nga shtypi, që pasi të mbarojë për disa orë efektin do të na kthejë sërish në realitetin tonë më shumë se modest. Shallët bosh të stadiumeve edhe kur hyrja është falas dhe skuadra që nuk të thonë shumë në fushën e lojës… Kjo deri në derbin tjetër.