Dënimi i ashpër i Disiplinës, Shkëmbi: Vendim i padrejtë për Tiranën

Komisioni i Disiplinës mori një vendim të hekurt për incidentin e paprecedentë në ndeshjen mes Tiranës dhe Vllaznisë, duke dënuar klubin bardheblu të luajë gjithë pjesën e mbetur të sezonit pa tifozë përveç gjobës 300 mijë lekë. Një vendim që nga grupimi ultras i bardhebluve, ‘Tirona Fanatics’, e ka quajtur skandalaz dhe më të fortë se çmund ta merrte edhe rregjimi diktaturës. Ata shkojnë më tej duke e quajtur komisionin e Disiplinës të padisiplinuar dhe FSHF-në si Federatën Serbe të Futbollit Shqiptar. Për këtë vendim ka folur sëfundmi edhe trajneri i Tiranës Bledi Shkëmbi. “Nuk e prisnim. Është diçka që patjetër ne si skuadër, por edhe klubi do e vuajë. Mendoj se nuk është e drejtë. Padiskutim që ata tifozë të cilët e bënë këtë duhet të dënohen, por që të dënohet një klub apo gjithë tifozëria për 2-3 persona mendoj se nuk është e drejtë. Mendoj dhe kemi shpresë te apeli që mund të ketë një reflektim,”-u shpreh Bledi Shkëmbi, trajner i Tiranës.

Tirana do luajë të dielën kundër Egnatias në transfertë në atë që është një nga 2 sfidat që hap javën e 12 të Superligës. “Një ndeshje e vështirë, duke patur parasysh kundërshtarin. Ndër më të mirët e kampionatit vitet e fundit, por edhe kampionët në fuqi. Jam i bindur se ne do bëjmë mirë dhe do shkojmë për ta fituar ndeshjen,”-tha Bledi Shkëmbi, trajner i Tiranës. Njëjtë si Egnatia-Tirana, po në orën 14:00 të dielën luhet Elbasani-Dinamo, ndërsa në orën 17:00 Vllaznia pas fitores me Tiranën pret Skënderbeun.

“Skënderbeu ka disa pika të forta, por ne duhet të bejmë gjithçka për ti minimizuar. Do përballemi me ta në mënyrë profesionale, me detaje, sidomos në mbrojtje. Do jemi para tifozëve tanë, në kushte perfekte dhe do synojnë të marrim fitoren,”-deklaroi Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë. Java e 12 e Superligës mbyllet të hënën me dy sfida, Bylis-Laçi dhe Partizani-Teuta.

sfidanti.al