De Biazi e ka edhe me tifozët e Interit: Boll u qurravitët

Trajneri i Kombëtares tonë, Xhani de Biazi, gjithmonë e më shumë po e ndjen veten më të madh se përmasat e pankinës të cilën drejton. Në Tiranë, shpesh herë janë ankuar, që tekniku Italian shpesh po I kalon caqet, duke u sjellë ashpër pa asnjë arsye. Por De Biazi e ka zgjeruar ndjeshëm gjeografinë e arrogancës dhe shikoni se si u drejtohet tifozëve të Interit nëpërmjet Radio 24, i bezdisur nga ankesat të tyre, pas ndeshjes së humbur ndaj Juventusit. Por në të njëjtën kohë edhe i ngushëllon, duke i kujtuar se sa ka vuajtur nga arbitrat gjatë karrierës së tij brilante.

“Reagimi është i ekzagjeruar. Po flasim për Ricolin, i cili është një arbitër, para të cilit duhet të heqim kapelen. Sigurisht gabimet e gjyqtarëve mund të ndodhin por nuk ekziston teoria, që gabimet ndodhin nga njëra anë dhe jo në tjetrën. Unë gabimet e gjyqtarëve i kam vuajtur gjatë gjithë karrierës time dhe nuk kam qëndruar duke u qaravitur, por duke parë përpara. Ka gjëra më të rëndësishme sot, sesa të merresh me të tilla”, ka thënë trajneri i Kombëtares tonë.

Sfidanti.al