Mirlind Daku ngrihet sërish në qiell nga mediat ruse, ndonëse gjysma e dytë e sezonit për të ka qenë me probleme. Pavarësisht dëmtimit të fundit, ndikimi i sulmuesit të kombëtares shqiptare tek Rubini është i dukshëm. Gazeta nga Kazani, “Biznes Onlajn”, shkruan se asnjë sulmues përpara tij në historinë e klubit nuk ka pasur një përqindje kaq të lartë të golave në krahasim me golat e gjithë skuadrës në një sezon.
Konkretisht, në 2024-2025, Daku ka shënuar 11 herë pas 23 javësh kampionat, ndërsa Rubin gjithsej ka realizuar 30. Kjo do të thotë 36.67 për qind, ndërsa rekordin e mbante Despotoviç para 4 sezoneve, kur kishte shënuar 33.33 për qind të rrjetave të ekipit. Jo vetëm kaq, por Daku mban edhe vendin e tretë për të gjitha kohët në këtë renditje, gjithnjë pas 23 javësh në Premier Ligën ruse, sepse vjet realizoi 32.26 për qind të golave të Rubinit. “Daku është gjysma e skuadrës, në mos edhe më shumë, – komenton gazeta e mësipërme, – ne kemi një Rubin me Dakun, dhe një ekip tjetër pa të. Trajneri Rahimov duhet të ndryshojë totalisht lojën sulmuese nëse Daku nuk është gati. Thjesht, nuk ka alternativë për cilësitë e shqiptarit”. Gjithsesi, ylli kuqezi ka edhe kontribut shumë të madh tek asistet. Deri tani, ai ka shërbyer 5 pasime për gol, që do të thotë mbi 26 për qind të totalit të skuadrës. Në këtë renditje, ai është më I miri këtë sezon, por këtë pozicion e ndan me shokun e skuadrës, Dimitri Kabutov.
sfidanti.al