Daku protagonist në Rusi me gol dhe asist

Sulmuesi kuqezi, Mirlind Daku, ka qenë vendimtar të dielën për skuadrën e tij, duke dhënë pasimin për golin e parë, por edhe duke shënuar golin e dytë në fitoren 2-1 që Rubini i Kazanit arriti ndaj Akhmat Groznit. Në takimin e vlefshëm për javën e 21-të të nivelit më të lartë të kampionatit të futbollit në Rusi, Daku ka bërë menjëherë protagonistin, duke pasuar në minutën e 12-të të takimit për shokun e tij të skuadrës, serbin Lazar Randjeloviç, i cili përshëndeti rrjetën, duke e kaluar Rubinin e Kazanit në epërsi. 25 minuta më pas, është vetëm sulmuesi kuqezi që gjen rrugën e rrjetës, teksa përfiton nga një pasim nga e majta e sulmit të skuadrës tatare, duke goditur fillimisht me kokën, por topi ka rrokur shtyllën horizontale dhe është kthyer në lojë, dhe Daku reagon instinktivisht duke e përcjellë topin në rrjetë me kokë në përpjekjen e dytë. Skuadra mike e gjeti golin e ngushëllimit në minutën e 3-të shtesë të kohës së rregullt, por Rubini i Kazanit e fitoi takimin me shifrat 2-1 dhe korri fiton e 9-të këtë sezon, duke u ngjitur në kuotën e 32 pikëve, në vendin e 7-të. Ky ishte goli i 5-të i Mirlind Dakut me Rubinin e Kazanit, teksa ka shënuar 1/4-ën e golave të skuadrës së tij këtë sezon, duke mbetur një nga kandidatët kryesorë të sulmit kuqezi në “Euro 2024”.

sfidanti.al