Cikalleshit i kalon kombëtarja nga … Arabia Saudite!

Është 32 vjeç, por dëshiron të jetë sërish në nivel të lartë. Sokol Cikalleshi dhe kombëtarja shqiptare kanë interes që sulmuesi të vazhdojë të jetë në fushë dhe nëse këtë nuk e arrin dot në Turqi, duhet ta bëjë diku tjetër. Për këtë arsye, sulmuesi kavajas vendosi të kalonte në Superligën e Arabisë Saudite e konkretisht te skuadra e Al Halixhit. Klubi i Superligës turke, Konjaspor, e huazoi për këtë sezon, dhe kjo tregon se drejtuesit ende e mendojnë Cikalleshin si lojtar që vlen për ta, ose nga ana tjetër pretendimet financiare për kartonin ishin të tilla që huazimi doli më i volitshëm. Sulmuesi kuqezi largohet pas 7 vitesh nga Turqia, ku pjesën më të madhe të kohës luajti në elitë dhe shumë më pak në Ligën e Parë, duke veshur fanelat e Istanbul Bashaksehirsporit, Ankarasporit, Akhisarsporit, Gëztepesë dhe Konjasporit.

Sezonin e kaluar ai luajti në 34 ndeshje dhe shënoi 10 gola vetëm në kampionatin turk. Me mbi 330 ndeshje e 100 gola në karrierë, Cikalleshi do të përpiqet të tregojë veten në një skuadër si Al Halixhi, e cila këtë sezon u ngjit në Pro Ligë, pra në elitën e futbollit saudit, pasi u shpall kampion në një kategori më poshtë. Pritet që 32-vjeçari të vazhdojë të japë kontribut për kombëtaren në Ligën e Kombeve dhe më pas në eliminatoret e Europianit, siç ka bërë deri tani.

Sfidanti.al