Një situatë e pazakontë për sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi, i cili u përjashtua nga Konyaspori për ndeshjen me Galatasaray. Bomberi kuqezi ka kërkuar rrogat e padhëna, ndërsa ekipi në Turqi ndodhet në një nga momentet më të vështira në aspektin financiar. Por klubi turk si hakmarrje e la jashtë për një nga ndeshjet më të rëndësishme, edhe pse Cikalleshi po kalon një formë fantastike. Situata nuk është përmirësuar aspak, me Konyaspor që pritet sërish mos ta grumbullojë për sfidën e radhës.
Për këtë arsye, duket se rrugët mes Cikalleshit dhe Konyasporit do të ndahen, pavarësisht se në këtë sezon sulmuesi ka shkëlqyer me 8 gola të realizuara deri tani. Një ditë më parë ishte Egnatia që shprehur dëshirën ta kishte në ekip për pjesën e mbetur të sezonit, por përpara është Europiani dhe sulmuesi kavajas kërkon të luajë në një ligë më të fortë. Sipas raportimeve të fundit, Cikalleshi ka interesimin e disa ekipeve nga Arabia Saudite, mes të cilave edhe të Al Khaleej, skuadrës ku u huazua nga Konyaspor më parë. Fatmirësisht, janari është periudhë merkatoja dhe Cikalleshi ka mundësinë të largohet nëse bie dakord me klubin aktual, pasi është nën kontratë.
sfidanti.al