Çfarë mund t’i bëhet një futbollisti milioner që shkel karantinën?

Fjala është për sulmuesin e Evertonit, Umar Niase, i cili u ndalua nga policia në Mançester, ndërsa shëtiste me makinën e tij luksoze, me 3 persona të tjerë në kabinë. Rregullat e vendosura nga qeveria britanike janë që njerëzit nuk mund të rrinë më shumë se 2 veta bashkë, ndërsa në makinën e Niases ishin plot 4. Futbollisti u ndalua nga policia, që ishte veshur në mënyrë civile, pra një polici e fshehtë, e cila kap në befasi shkelësit.

“Ju jeni krejtësisht jashtë rregullave, – mësohet t’i ketë thënë oficeri i policisë, – një fatkeqësi. Kjo është shumë shqetësuese, ju po vini në rrezik të tjerët”. Një kritikë e ashpër, për gjuhën tepër të kultivuar që përdorin oficerët e policisë britanike. Çfarë mund t’i bëhet një lojtari të tillë të Premier Ligës, që është tepër i paguar? Jo rastësisht, të përditshmet britanike e theksonin që në titull se Niase fiton 55 000 paundë stërlina në javë, një rrogë astronomike për njerëzit e zakonshëm. Një gjobë normale është një shaka për të, ndërsa ose duhet të ketë ndëshkime financiare shembullore, që t’i përgjigjen rrogës që merr, ose të hapen edhe dyert e burgut.

Sfidanti.al