Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka reaguar ndaj polemikave që kërkojnë përjashtimin e ekipeve dhe atletëve izraelitë nga kompeticionet ndërkombëtare, duke theksuar se një masë e tillë nuk do të sillte ndryshime konkrete.
Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ekipet ruse u përjashtuan nga kupat evropiane, ndaj shumë tifozë dhe sportdashës janë pyetur pse nuk ndodh e njëjta gjë me skuadrat izraelite, për shkak të konfliktit në Gaza. Por Ceferin ka qenë i qartë:
“Nuk jam pro përjashtimit të atletëve izraelitë. Çfarë mund të bëjnë ata realisht për ta ndalur qeverinë e tyre? Është shumë e vështirë, gjërat nuk do të ndryshonin. Ajo që po ndodh në Gaza më dhemb thellësisht, nuk mund të shohim më skena të tilla,” tha ai për Politico.
Ndërkohë, kreu i UEFA-s mbetet i palëkundur për çështjen e Rusisë: “Përjashtimi i ekipeve ruse ka rreth tre vjet e gjysmë që vazhdon. Lufta ka mbaruar? Jo. Prandaj nuk besoj se do të ketë ndryshime.”
Debatet u ndezën edhe më shumë ditët e fundit, pasi trajneri i kombëtares italiane, Gennaro Gattuso, u pyet lidhur me këtë situatë. Ai u shpreh: “Jam një njeri i paqes, por duhet të luajmë. Është e dhimbshme të shohësh një luftë ku vriten civilë e fëmijë, por Izraeli është në grupin tonë dhe ne duhet ta respektojmë këtë angazhim.”
sfidanti.al