Armando Broja dhe klubi i tij i ri, Everton, kanë të përbashkët ecjen përmes vuajtjeve vitet e fundit, por tani shpresojnë të ngjiten lart së bashku, pasi kanë prekur fundin. Goodison Park do të jetë sfida e madhe e sulmuesit të ri kuqezi. Everton dhe Armando Broja, një dyshe që e bashkojnë vuajtjet dhe shpresa për të parë dritë në fund të tunelit. I pari, një nga klubet historike më të vjetra e më të suksesshme të Anglisë, nëntë herë kampion, por tani shumë larg ditëve të lavdisë, në vitet e fundit gjithmonë në gjysmën e poshtme të renditjes, aktualisht në vendin e fundit. I dyti, një djalosh i ri shqiptar, lindur e rritur në Angli, nga ana futbollistike produkt i akademisë së Chelseat, ndër më të mirat në botë, me shumë ëndrra për sukses, por gjithmonë të mbytyra nga makthi i dëmtimeve që deri tani nuk i kanë lejuar realizimin e tyre.
Pas dëmtimit të rëndë të dhjetorit 2022 që e la thuajse një vit jashtë fushave e pas një huazimi të pasukssesshëm te Fulham, sulmuesi kuqezi më në fund ka gjetur strehë te Everton, ku është prezantuar së fundmi para medias, me padurimin për t’u prezantuar edhe para tifozëve në Goodison Park. Tri humbje në po aq ndeshje në Premier League sigurisht që nuk të ofrojnë atmosferën më të mirë për të nisur aventurën e re, por ndoshta është pikërisht kjo platforma e duhur. Broja dhe Everton e kanë prekur fundin, tani sfida e madhe është që të ngjiten lart së bashku, me shpresën se kalvari do të mbetet përfundimist pas.
sfidanti.al