Botërori 2026, FIFA refuzon kërkesën e Iranit për ndryshimin e kalendarit

Tensionet politike po ndikojnë edhe në futbollin ndërkombëtar, teksa Irani ka kërkuar që ndeshjet e tij në FIFA World Cup 2026 të mos zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, por të zhvendosen në Meksikë. Megjithatë, kjo kërkesë është refuzuar nga FIFA.

Federata iraniane e futbollit kishte nisur kontakte me FIFA-n për të diskutuar mundësinë e ndryshimit të vendeve pritëse për ndeshjet e saj, duke u bazuar në shqetësimet për sigurinë. Këto shqetësime u shtuan pas deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte lënë të kuptohej se nuk mund të garantonte sigurinë e përfaqësueses iraniane.

Presidenti i federatës iraniane, Mehdi Taj, ishte shprehur qartë: “Pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se nuk mund të garantojë sigurinë e kombëtares sonë, atëherë ne sigurisht që nuk do të shkojmë në Amerikë”.

Pozicioni i Teheranit u bë publik edhe nga ambasada iraniane në Meksikë, e cila konfirmoi se kishte pasur tentativa për të zhvendosur ndeshjet në territorin meksikan, një nga vendet pritëse të turneut së bashku me SHBA-të dhe Kanadanë.

Megjithatë, FIFA reagoi shpejt përmes një zëdhënësi, duke bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha federatat pjesëmarrëse, përfshirë Iranin, por nuk ka ndërmend të ndryshojë planifikimin aktual. Sipas organit më të lartë të futbollit botëror, ndeshjet do të zhvillohen sipas kalendarit të shpallur më 6 dhjetor 2025.

sfidanti.al