Boniek i trembet Shqipërisë: Ndeshje e vështirë

“Sinqerisht, nuk jam pro një Kupe Bote me 48 ekipe, janë shumë. Nuk do ta përmirësojë cilësinë e lojës. Tani është më e vështirë të kualifikohesh për Kupën e Botës sesa të dalësh nga grupi. Kjo rritje ka bërë që kontinenti që ka vuajtur më shumë të jetë Evropa, kemi marrë vetëm tre vende më shumë, një rritje minimale krahasuar me të tjerët. Është një çështje politike, një çështje parash. Më shumë pjesëmarrës do të thotë më shumë të ardhura nga reklamat dhe më shumë të drejta televizive”. Kjo është ajo që tha Zbignieë Boniek, ish-sulmuesi i Juventusit dhe Romës dhe zëvendëspresidenti aktual i UEFA-s, si i ftuar në Radio Anch’io Sport në Rai Radio 1.

Sa i përket kualifikimit të Italisë dhe Polonisë për Kupën e Botës 2026, Boniek ka ide të qarta: “Nuk mund ta imagjinoj që Italia të mos e mposhtë Irlandën e Veriut në shtëpi”, shpjegon ai. “Në teori, problemi është ndeshja e dytë, një ndeshje e vetme jashtë fushe kundër Uellsit ose Bosnjës mund të jetë e rrezikshme. Shpresoj që Gattuso dhe e gjithë skuadra italiane të kualifikohen për Kupën e Botës, veçanërisht sepse kam nipër e mbesa që luajnë futboll, janë tifozë të kombëtares italiane dhe duan t’i shohin të kaltërit në Kupën e Botës”.

“Mosarritja në Kupën e Botës është veçanërisht e dëmshme për fëmijët, të cilët duan të ëndërrojnë. Sa i përket Polonisë, kemi dy ndeshje të ekuilibruara dhe të vështira: së pari Shqipërinë në shtëpi, pastaj ndoshta kundër njërës prej Suedisë dhe Ukrainës jashtë fushe. Në teori, ne jemi favoritë, si Italia”.

sfidanti.al