Bolivia dhe Xhamajka në finalet e play-off-it për Botërorin 2026

Bolivia dhe Xhamajka kanë siguruar kualifikimin në finalet e play-off-it ndërkontinental për Kupën e Botës 2026, pasi eliminuan respektivisht Suriname dhe Kaledoninë e Re në gjysmëfinalet e zhvilluara në Meksikë. Në Monterrey, Bolivia arriti një përmbysje të rëndësishme ndaj Suriname, duke fituar 2-1. Skuadra nga Amerika e Jugut ishte në disavantazh deri në minutën e 72-të, kur barazoi me Paniagua, ndërsa fitoren e vulosi Miguel Terceros me penallti pak minuta më vonë.

Ndërkohë, në Guadalajara, Xhamajka triumfoi minimalisht 1-0 ndaj Kaledonisë së Re. Golin vendimtar e realizoi Cadamarteri që në minutën e 18-të, duke i dhënë fund ëndrrës historike të përfaqësueses nga Oqeania për një kualifikim të parë në Botëror. Të dyja ndeshjet ishin pjesë e mini-turneut me gjashtë skuadra që përcakton dy vendet e fundit për Kupën e Botës 2026. Finalet do të zhvillohen më 31 mars: Bolivia do të përballet me Irakun, ndërsa Xhamajka do të ndeshet me Republikën Demokratike të Kongos. Fituesit e këtyre përballjeve do të sigurojnë biletën për në Botërorin e ardhshëm që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

sfidanti.al