Belgjika, një vend i tretë i merituar, Hazar & Co mund të kishin qenë kampionë!

Fitoi ai që e meritoi. Hierarkia është ajo e duhura në Kupën e Botës, të paktën deri në vendin e tretë, që e zuri Belgjika. Skuadra ndoshta më e talentuar dhe më spektakolare e Botërorit arriti një triumf logjik ndaj Anglisë së fortë, por ende jo të madhe.

Rezultatin 2-0 e vendosën golat e mbrojtësit Tomas Mënier dhe yllit kryesor, Eden Hazar, por suksesi u arrit falë një loje më inteligjente sesa ajo e kundërshtarit. Belgët realizuan që në fillim dhe patën mundësi të zhvillonin atë ndeshje që donin, ashtu si ndaj Brazilit, ndryshe nga ç’ndodhi kundër Japonisë apo Francës.

Përballë një skuadre angleze më të re në moshë dhe më pak të talentuar, skuadra e trajnerit Martinez u mbrojt e organizuar, duke ditur të vuante. Përballoi presionin e rivalëve, që ishin të rrezikshëm sidomos në goditjet standarde, por edhe në disa aksione ku mori pjesë Erik Dajer.

Gjithsesi, maksimumi i Anglisë nuk ishte i mundshëm për ta bërë që të mundte Belgjikën. Shpikësit e futbollit u kthyen përfundimisht me këmbë në tokë, dhe do të kthehen në shtëpi të ndërgjegjshëm se duhet të bëjnë më shumë për t’u bashkuar me elitën botërore. Sa për belgët, ata me siguri do të kenë pengun se nuk bënë aq sa duhet në një turne që mund ta kishin fituar.

Sfidanti.al